Author Topic: Qeveria analizon vitin 2011: Viti i mrekullive të mëdha  (Read 3434 times)

0 Members and 1 Guest are viewing this topic.

Offline Staff

  • Administrator
  • Anetar i Vjeter
  • *****
  • Posts: 608
  • Postimet: +4/-0
  • Gender: Male
Qeveria analizon vitin 2011: Viti i mrekullive të mëdha
« Reply #1 on: December 30, 2011, 09:20:34 PM »
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, në konferencën e djeshme për shtyp analizoi vitin 2011 duke e cilësuar si vitin më të mirë në të gjithë sektorët, si ekonomia, turizmi, bujqësia, arsimi, si dhe në sferat e tjera sociale
 
Kryeministri Sali Berisha bëri pasditen e djeshme analizën 1-vjeçare të punës së qeverisë përgjatë vitit 2011. Kreu e cilësoi si një vit mjaft pozitiv këtë vit që po lëmë pas. Sipas tij, 2011-a ishte një vit mjaft pozitiv, por pati edhe ngadalësime si në rastin e mosmarrjes së statusit kandidat, por kjo nuk erdhi për shkak të mazhorancës apo mungesës së punës dhe reformave nga ana e qeverisë, por si pasojë e bojkotit dhe bllokimit që opozita vendosi të bënte për një kohë të gjatë. “Vit i mrekullueshëm dhe me ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë. Ky vit duhet të ketë një etalon të qartë të vlerësimit të tij, çfarë u realizua gjatë këtij viti. Ky ishte një vit, pa mëdyshje, i shkëlqyer, ku çdo shqiptar duhet të falënderojë veten e tij. 2011-a regjistrohet në muret e kohës si një arritje e sistemit. Filloi me disa probleme të caktuara, krejtësisht të pamotivuara pa asnjë arsye ligjore, ngjarje të cilat morën përgjigje kushtetuese. Shqipëria u faktua si një shtet ligjor”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ndërkohë theksoi se përgjatë këtij viti 2 kanë qenë ngjarjet më të rëndësishme, zgjedhjet lokale të 8 majit dhe zhvillimi i censusit të vendit tonë, i cili, sipas kreut të qeverisë, ishte censusi i parë sipas standardeve ndërkombëtare. “2011-a pati dy ngjarje dhe zhvillime të tjera të mëdha ku u testua funksionimi i shtetit ligjor, zgjedhjet e 8 majit, pavarësisht qëndrimeve kundërthënëse, të cilat faktuan që pushteti nuk merret me dhunë. Në këto zgjedhje institucionet kushtetuese kaluan një nga testet më të vështira, si rezultat i ngushtësisë së rezultatit. Janë zgjedhjet e para në historinë e vendit që vlerësohen si krahasuese dhe transparente. Mazhoranca u shpërblye në reformat e saj me votat që mori në zgjedhje. Së dyti, Shqipëria pas 99 vitesh zhvilloi censusin e plotë në liri të plotë, ka foton më të bukur kombëtare dhe materiale. Rezultatet janë historike, faktuan se vendi po ecën me shpejtësi drejt vendeve të zhvilluara”, - u shpreh ai. Gjithashtu ai theksoi se ky vit dhuroi edhe momente të pakëndshme, siç ishte rasti i mosmarrjes së statusit kandidat, kjo për 1 arsye të vetme: mosvotimi i ligjeve me 3/5, pasi opozita preferoi që t’i bllokojë këto ligje duke menduar se në këtë mënyrë do t’i faturonte mazhorancës fajin e mosintegrimit të Shqipërisë. Lidhur me këtë çështje Kryeministri Berisha theksoi edhe njëherë se ishte populli shqiptar ai që ishte dhe gjykatësi më i mirë i këtij debati, dhe këtë e konfirmoi me votën e tij në zgjedhjet e 8 majit duke i treguar opozitës se vota nuk fitohet me bojkot, por me punë dhe me reforma.
Berisha, Ramës: Urimet dërgoji më mirë me celular
Gjithashtu, ai ka komentuar edhe kartolinat e dërguara nga kryesocialisti Edi Rama, i cili ka zgjedhur rrjetet sociale për të uruar miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Lidhur me këtë çështje kreu i qeverisë theksoi se si komunikim ‘online’ konsideron mesazhet e celularit, sepse shkalla e penetrimit të celularëve është më e lartë se interneti, pasi përdorimi i tij është më i kufizuar rreth 50 për qind.
“Unë nuk bëj kartolina ‘online’, bëj një kartolinë me logon e Këshillit të Ministrave është një kartolinë që ne e dërgojmë si Kryeministri”, - tha kreu i qeverisë.
Zgjedhja e Presidentit, Kryeministri: Do të respektojmë Kushtetutën
Ndërsa lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës për vitin e ardhshëm, kreu i qeverisë ritheksoi edhe njëherë se do të respektohet Kushtetuta e Shqipërisë. Ai tha se Kushtetuta është ligji themelor i një shteti dhe është ajo që përcakton qartësisht se cili është statusi kushtetues i Presidentit. “Çdo koment jashtë kuadrit kushtetues është absolutisht jo produktiv. Një nga 3-4 shtyllat më themelore të demokracisë është kushtetutshmëria, shtyllë jetike për funksionimin e një demokracisë në mënyrë që të mos ndodhin deformime dhe kjo shtyllë është konsoliduar gjithmonë e më tepër. Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrim i tij është i përcaktuar në Kushtetutë dhe nëse kjo karrige kthehet në një parti të madhe apo parti të vogël, ajo është për Presidentin e Republikës, që Kushtetuta i thotë se do të mbajë këtë qëndrim. Unë jam ish-president dhe kisha një libër në tryezën time, dhe ky libër ishin ligjet kushtetuese të vendit, dhe nuk mund të cenohen askund. Çdo person të qëndrojë në përputhje të detyrave”, - u shpreh Berisha.
Berisha: Reforma zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE-së
I pyetur për çështjen e reformës zgjedhore ai tha se iu la në dorë opozitës që ta hartonte Kodin Zgjedhor nëse jepej “Ok” nga Komisioni i Venecias dhe OSBE-ja, do të votohej pa diskutim.
“Opozita e refuzoi këtë propozim se e dinte që do e shkruante, do e votonte dhe do të bëhej qesharake, pasi edhe me kodin që do ta hartonte vetë do t’i humbte zgjedhjet. Atëherë u vendos që të hartohej bashkërisht”, - deklaroi kreu i qeverisë.
Berisha: Shqipëria, vend i zhvilluar
Kreu i qeverisë konfirmoi edhe njëherë se Shqipëria tregoi këtë vit se është një vend i zhvilluar, dhe se këtë vit ekonomia shqiptare arriti që jo vetëm të përballonte krizën financiare, por pati edhe rritje duke u renditur përkrah vendeve më të zhvilluara si Gjermania dhe Norvegjia. Gjithashtu, ai tha se falë reformave të ndërmarra nga qeveria u rritën eksportet 2 herë më shumë në krahasim me vitin 2009, u bë e mundur mbajtja e borxhit nën kontroll, realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve me përpikëmëri, turizmi dhe investimet e suksesshme në infrastrukturën rrugore. Ndër të tjera ai përmendi investimet në infrastrukturë, duke thënë se shqiptarët mund të kursejnë 60 për qind të kohës, si dhe karburant e shpenzime. “Brenda dy viteve shqiptarët do të udhëtojnë në vendin e tyre si në njërin nga vendet më të zhvilluara të Evropës, pasi përcaktimi që t’u kursejmë shqiptarëve 60 për qind të kohës është më i kushtueshmi, por dhe më fitimprurësi për xhepat e tyre”, - tha më tej kreu i qeverisë.
Kryeministri: Shqipëria, superfuqi energjetike
Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se përgjatë vitit 2011 qeveria arriti të lidhte me dhjetëra kontrata me investitorë të huajë dhe vendas për sa i takon ndërtimit të hidrocentraleve. Ai ritheksoi edhe njëherë se gjatë këtij viti janë përuruar me dhjetëra hidrocentrale të vogla. Kreu i qeverisë theksoi se për 2011-n  3 ishin veprat më të madha në fushën e energjisë: TEC-i i Vlorës, Nënstacioni i Kasharit, si dhe dhjetëra TEC-e të vogla. “Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe se fatmirësisht është vendi i rezervave të mëdha në burimet energjetike të energjisë së rinovueshme dhe po bëhet gjithçka për shfrytëzimin racional të tyre”, - tha më tej kreu i qeverisë
Berisha: 2011-a, vit i mbarë për bujqësinë
Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se këtë vit si kurrë më parë janë rritur eksportet e mallrave shqiptar enë drejtim të vendeve të tjera të Evropës. Ai u shpreh se gjatë këtij viti janë 3-fishuar eksportet e fruta-perimeve, si dhe ka një rënie të importeve për zarzavatet me 40 për qind, sepse tashmë prodhimet e huaja po zëvendësohen me prodhimet vendase.
“Ishte një vit i madhe për bujqësinë shqiptare, janë 2 dhe 3-fishuar eksportet e frutave, perimeve e zarzavateve; ka një rënie rreth 40 për qind në importet e ushqimeve bazë, sepse ato po zëvendësohen me prodhimet e vendit. “Bli shqip” është motoja më e sigurt, më e shijshme për qytetarët shqiptarë, pasi ushqime dhe fruta si të Shqipërisë nuk mund të gjenden”, - u shpreh Berisha.
 Dixhitalizimi, Kryeministri: Suksesi më i madh i këtij viti
Ndër arritjet më të mëdha për vitin 2011 kreu i qeverisë vendosi edhe dixhitalizimin e plotë të administratës. Ai u shpreh se sot për të gjithë shqiptarët është shumë herë më e lehtë për të hapur biznese dhe për të bërë regjistrimin e tyre ‘online’, pasi sot në Shqipëri funksionon teknologjia më moderne. Ndërkohë tha se Shqipëria është një nga vendet në të cilin është rritur në maksimum numri i përdoruesve të internetit  dhe kjo falë punës së qeverisë. Ndërsa theksoi se Shqipëria është vendi i 3G-së, janë lëshuar dy licenca dhe tani po lëshohet e treta, dhe ka shumë mundësi që viti që vjen të mbyllet me 4G, ku shtoi se shqiptarët janë të dashuruar me komunikimin dhe se mbi 2 milionë shqiptarë lundrojnë në internet.
Berisha: Policia shqiptare  ka kryer detyrën me profesionalizëm
Kryeministri i vendit Sali Berisha në bilancin e vitit 2011 shprehu mirënjohje për policinë duke thënë se ka treguar shkallën më të lartë të profesionalizmit, pasi ka përballuar qindra e qindra protesta.
“Policia e Shqipërisë është shndërruar në një partner të besueshëm të partnerëve ndërkombëtarë. Qëndrimi i saj ligjor ndaj zgjedhjeve fitoi admirimin e madh të të gjitha forcave politike dhe qytetarëve të këtij vendi që nuk kursyen fjalët më të mira. Shkalla e zbulueshmërisë është ndër më të lartat, lufta kundër krimit të organizuar ka një nivel të ri. 125 zyrtarë janë ndaluar për veprën e korrupsionit, 70 prej tyre ndiqen në gjendje të lirë e të tjerët janë të arrestuar. Spektri i veprave penale të zbuluara është rritur”, - përfundoi Kryeministri Berisha.