Author Topic: Edison Gjergon Artist Shqyptare  (Read 7669 times)

0 Members and 1 Guest are viewing this topic.

Lec Neli

  • Guest
Edison Gjergon Artist Shqyptare
« Reply #2 on: August 12, 2009, 11:31:10 AM »
Jeta dhe puna e artistit gjeni Edison Gjergon, asht thjesht reflektim i injoranc dhe i persekutimit sllavo-komuniste karshi cdo gjaje te perkryme dhe te arritun artistike-kolturore-intelktuale qe nuk ju nenshtrote linjs t'perkushtimit te rrealizmit socialist, linj qe drejtote dhe detyrote qi cdo teme ne artin figurativ te shprehte detyrimisht lavdin e rrealizmit socialist tuj menjanu detyrimisht mjeshtrin, stilin e inspirimin qe prodhon artin mrena artistit te talentum.

Ba me pa me kujdes pikturat e ktij gjeniu Shqyptare qe nen linjen e artit socialist konsiderohej si rrevizioniste (Moderniste) vetem sepse talenti tij ishte gjenjal, vehet re piktura e tij asht gjenjale sepse jo vetem ne te shkrihen ne harmoni te jashtzakonshme 3 stile: (Kubizmi-Impresionizmi dhe ekspresionizmi), por edhe rreflektimi i ides nepermjet ngjyrs mrena ktij stili asht shum mahnits e enigmatik ne te njajten kohe.

Para disa vjetve kam pa shku te galeria e arteve me kry da pune, e per rruge menova mu nal e me pa pikturat e rilinjes shqyptare sidomos te Kole Hidromenos e Simon Rrots, nejse di me thane se i pava dhe nuk me zhgenjyne, por kur kam pa per here te pare pikturen e Edison Gjergon ne fotografi digjitale di me thane se jam impresionu jasht maset per arsyt qi shpjegova masiper, nejse abuzmi dhe pengimi i gjenive si me rastin e Edison Gjergon nuk asht gja tjeter vetem se humje e vlerave artistike komtare qe vetem do ta kishim madhnu artin shqyptare ne majat ma te nalta te artit figurativ.
« Last Edit: August 12, 2009, 11:51:26 AM by Lec Neli »

Lec Neli

  • Guest
Edison Gjergon Artist Shqyptare
« Reply #1 on: August 12, 2009, 10:58:43 AM »

Duke kujtuar Edison Gjergon

Elsa Demo | 12/08/2009









Miku i Edison Gjergos tregon lidhjen 30-vjeçare me piktorin modern me fat tragjik. Ai regjim që i vuri përballë në sallën e gjyqit, po bashkë i burgosi në Spaç.

Përkthyesi Islam Spahiu është dëshmitar i tablove të shumëpërfolura "Epika...", "Pusi 542": "Nuk ishte hero, ajo kohë donte heronj. Unë jam fajtor që nuk i fola kurrë më"

Ka vizitorë në Galerinë Kombëtare, të huaj ka shumë. Një turist i tregon shitëses së dyqanit të suvenireve (dyqan i thënçin) në ekranin e aparatit fotografik: Edison Gjergo (1939-1989).

Ai ka fotografuar këtë emër në pavijonet e linjës muzeale dhe kërkon një album me punë të tijat, kartolina apo një shenjë nga ky Edison Gjergo shqiptari.

Të dy kërkojmë një shenjë më shumë në këtë galeri për Edison Gjergon. Asgjë më shumë se tablotë "Fondatori" (1971), se "Portret malësoreje" (1972), se "Epika e yjeve të mëngjesit" (1971), nuk ka.

Ka vetëm një orientim me vendosjen e punëve të tij në pavijone të caktuara: "Portret malësoreje" tek Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-'70. "Epika..." e ekspozuar bashkë me "Fondatorin" tek salla e Pikturës formaliste, e Realizmit Socialist (1969-1974), mban shënimin shqip-anglisht: "U kritikua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe nga Pleniumi IV i PPSH 1973, si vepër me përmbajtje pesimiste dhe trajta formaliste. Autori i saj, Edison Gjergo, u arrestua në janar 1975 dhe vepra u vendos në fondin e zi të GKA."

Thuhet se në GKA ruhen vetëm katër punë. "Epikën" ia mbajnë si "dëshmi me vlerë historike dhe artistike për autorin dhe artin shqiptar të viteve 1973-'74". Po të shohësh "Nata kosovare" e Edi Ramës, ekspozuar në linjën e re muzeale të GKA-së, influenca prej "Epikës" së Gjergos duket qartë.

Pa llogaritur vlerësimin që Rama i bën në pasthënien e "Mbi shpirtëroren në art" (ka bërë përkthimin e veprës së Visili Kandinskit) ai shpreh ndikimin shpirtëror që pati Gjergoja, që duket të ketë qenë si ndikimi i një flladi, fatkeqësisht pa gjurmë.

Ky Gjergoja që nuk doli ndonjëherë nga Shqipëria, që nuk ekspozoi kurrë i gjallë jashtë saj, që nuk mësoi një gjuhë të huaj, nuk u hoq aq shqiptar i ri që për të jetuar qetë e pa kokëçarje e kriposi jetën dhe veprën ose si ushtar artist, ose si i verbër.

Me Islam Spahiun, përkthyes nga disa gjuhë, mik për 30 vjet me Edison Gjergon, e kujtojmë sot në vitin 2009. Ky vit mban dy përvjetorët e lindjes dhe të vdekjes së piktorit, që si çdo gjë, e cila kërkon të dalë në dritë, kalon njëherë nëpër një terr të thellë. Koha që po jetojmë është një terr i thellë, kulturor dhe shpirtëror.

Kur jeni njohur me Edison Gjergon?


Në vitin 1957-'60 unë punoja skenograf në Estradën e Shtetit, e sapokrijuar. Vendin e punës e kisha pranë Teatrit Popullor; aty ngjitur gjendej Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kështu, duke frekuentuar atë klub, pata rastin të njoh shumë artistë e shkrimtarë të asaj kohe, në mes të cilëve edhe Edison Gjergon.

Ai, atëherë, me sa mbaj mend punonte si piktor dhe bënte reklamat e filmave që shfaqeshin në kryeqytet. Ishte i ri dhe binte në sy për sqimë në veshje dhe seriozitet në sjellje. Erdhi rasti që të uleshim në një tavolinë me nga një gotë alkool përpara. Se si kaluam përnjëherësh në një intimitet gazmor.

Çfarë ju lidhi?

Shumë kohë më vonë lexova këtë aforizëm të Niçes: "Ndarja e gëzimeve jo ndarja e vuajtjeve bën mikun." E pikërisht ky fenomen ngjau mes nesh.

Ne, siç duket vuanim shpirtërisht njëlloj dhe për t'iu shmangur hidhërimit, kërkonim të kundërtën e tij: gëzimin. E këtë na e dha një komunikim i thellë idesh. Paskëtaj mezi ç'prisnim rastin që të takoheshim. Në atë kohë unë merresha me studimin e Dantes dhe me pasion rilexoja "Komedinë Hyjnore" në origjinal.

Arrita të mësoj përmendësh ndonjë këngë e disa vargje që më pëlqenin më shumë. Me këtë entuziazëm ia deklamoja Edisonit, i cili kënaqej e disa herë më lutej t'i përsërisja. Konfidenca personale kaloi në atë familjare. Nëna ime e donte shumë, e thërriste "biri i nënës".

Po atë ngrohtësi gjeja edhe unë në familjen e tij. Veç kësaj, aty gjeta një nivel shoqëror që më ngjalli admirim; një familje qytetare që e karakterizonte patriotizmi dhe intelektualizmi. I ati i Edisonit, ekonomist, kishte mbaruar studimet përkatëse në Universitetin e Bukureshtit. Tani në pension e jo vetëm kaq, i tërhequr nga jeta publike sepse ishte i zhgënjyer nga jeta politike në vend.

E ëma arsimtare që gëzonte prestigj. Vëllai, Aleko, ish-inxhinier kimist, por edhe i hedhur në jetën shoqërore, nga pasioni për sportin u bë i njohur si spiker transmetues për ndeshjet e futbollit. Edisoni vazhdonte studimet në Institutin e Arteve.

Po në atë familje ndjehej jo vetëm një frymë kulture e përgjithshme, por edhe e artit muzikor. E gjithë familja, duke filluar nga kreu i saj, e njihnin mirë muzikën klasike. Edisoni, pavarësisht nga teoria, ai praktikisht në këtë drejtim qëndronte mbi nivelin e një profesionisti të zakonshëm. Mendoj se këtë avantazh atij i jepte edhe temperamenti i tij tejet i ndjeshëm, i cili e çonte në thellësi të pazakonta. Asnjëherë nuk ishte i cekët.

Çfarë do të thotë kjo?

Ishte i thellë, bile i pëlqente misteri. Aty ku kishte diçka gati të pakuptueshme, ai entuziazmohej. Duke mos qenë në pajtim me ambientin, ai vuante shpirtërisht dhe vetëm shpirtërisht. Duke mos duruar më, kërkonte mënyrën për të dalë që andej.

E provoi në artin e pikturës, por kjo dukej dhe dënohej. Atëherë u lëshua pas pijes; pra pinte, pinte, pinte... E në këtë gjendje ai i krijoi veprat e tij më të mira, ashtu si Modiliani, piktori i tij më i dashur.

Cilët ishin miqtë e tij?

Nuk pati shumë. Ndër më të afërtit ishte Robert Shvarci. Ky i fundit, veprat e përkthyera, para se t'i botonte ia jepte Edisonit, i cili, siç thoshim me humor, i përpinte. Kishte intuitë të mprehtë. Kështu ai e pasuronte shpirtin.


Na tregoni diçka për Gjergon në studio.

Nuk ishte vetëm vend i punës, por një "rifuxhio", siç i thosha me të qeshur. Pra, një strehë për t'u shkëputur nga një ambient armiqësor që e vëzhgonte, e hetonte, e përfliste.

Në studio ai krijonte një ambient intim ku zhvillonte idetë, ëndrrat që i hidhte pastaj në telajo. Atje vinin miqtë, po nuk mungonin persekutorë, spiunë, vëzhgues. Megjithatë, ai nuk donte ta besonte një ultësi të tillë. Përveç pikturës, atje ndjehej muzika klasike.

Kishte studiuar në Institutin e Lartë të Arteve ku studentët nuk kishin parë me sy një vepër origjinale të artit botëror. Ju keni përmendur se Edisoni nuk dinte ndonjë gjuhë e huaj. Atëherë, ku ishin vendosur burimet e tij?

Çuditërisht ai e njihte mirë artin modern. Duke pasur parasysh izolimin hermetik, karantinën ideologjike që karakterizonte sistemin diktatorial. Filluan të vijnë në Bibliotekën Kombëtare revista të huaja, por vetëm shkencore, si p.sh "La semaine des hôpitaux".

Një ditë hasa aty në revistën e artit "Les jardin des arts", por kjo nuk zgjati shumë, se e hoqën menjëherë. Mirëpo mua m'u dha një rast fatlum: një i afërt i imi punonte në një zyrë ku vinte gjithë shtypi i huaj, e ky me destinacion udhëheqjen. Përfitova nga ky rast e tashmë për afro 5 muaj kaloja nëpër duar revista të tilla si "Epoca", "Paris Match", "Stampa", por ajo që pati më shumë rëndësi, sigurova revistën e artit që përmenda më sipër.

Edisonit i kishte ardhur dhe një televizor, e më në fund deri këtu arriti mundësia për të parë e dëgjuar atë që ishte thuajse e pamundur. E, kështu, në këtë "klimë", Edisoni krijoi veprat e tij të lira dhe të sforcuara.

Të sforcuara ishin ato që ai duhej t'i ekspozonte. E megjithëse të tilla, tablotë e tij spikatnin për një ndjeshmëri të hollë e moderne të ngjyrës. Kjo vihej re lehtë për ata që e njihnin dhe e ndjenin pikturën.

Ju e keni përmendur edhe si njeriun që ju nxiti të përktheni Dostojevskin.
Ai më nxiti të përktheja "Net të bardha" të Dostojevskit. Po ashtu edhe "Shpirtërorja në art" të Kandinskit. Këtë të fundit, kur e botova, ia bëra kushtim kujtimit të tij.

Po ju cilat vepra pëlqeni prej tij?

"Pusi 542" dhe "Epika...", kam qenë dëshmitar kur realizonte "Epikën...", madje që në ngjizje të saj.

Kur duken hijet në horizont?

Bashkë me Isuf Kazazin, i cili pat qenë pianist në Teatrin e Operës dhe Baletit, bëheshim tre. Në kohën e lirë do të ishim bashkë thuajse gjithmonë. Por nuk do të zgjaste shumë kjo gjendje.

Gjuajtja e shtrigave kundër "armikut të klasës" në vitet shtatëdhjetë arriti në çmenduri. Kontrollohej çdo lëvizje, çdo fjalë e kujtdo. Supersticioni i përndjekjes quhej "vigjëlencë revolucionare"; ai që nuk denonconte konsiderohej më i keq se armiku. Po njeriu fundja ka nevojë edhe për komunikim e, si rrjedhojë, edhe për miq. Treshja jonë i ra në sy sigurimit.

Në të vërtetë, ne vumë re ca "hije" që na ndiqnin, por nuk u vumë rëndësi. "Treshes" do t'i hiqej një: unë do të pushohesha nga puna (isha mësues në atë kohë) dhe do të internohesha në Belsh të Elbasanit. Kur u lirova më thërritën në degë dhe më pyetën për Edisonin.

Aty e pashë që atë e survejonin, siç bënin zakonisht para se të arrestonin ndonjërin. E vura në dijeni Edisonin. Po ç'të bënim? Isufin e kishin hequr nga opera dhe tashmë ishte punëtor i thjeshtë në një ndërmarrje (ky konsiderohej "i deklasuar," siç thuhej për ata që u përkisnin familjeve të mëdha, ishte madje dhe nipi i Qazim Mulletit).

Si ndodhi arrestimi?

Një ditë janari të vitit 1975 ne kishim lënë takim në lulishten e rrugës së "Elbasanit". Kur vajta në orën e caktuar gjeta Isufin, por jo Edisonin. Shkuam tek studioja e tij në rrugën e "Kavajës". Meqë studioja ishte në katin e pestë, përtuam të ngjiteshim dhe dolëm në trotuarin e rrugës përballë dhe i thërritëm Edisonit.

Reagimi u duk veç nga kapaku i dritares që lëvizte. Ne, duke mos dyshuar për asgjë - e çuditshme kjo! - i ngjitëm shkallët e pallatit. Te porta e studios gjeta portierin e klubit të shkrimtarëve, F.C, i cili bënte sikur rregullonte çelësin e derës së shkallmuar.

Ai posa më pa, shtyu derën duke hapur skenën tronditëse. Në mes të studios kishin bërë një grumbull në formë piramide me kuadrot e studios, mbi të cilën rrinte ulur një person me bllok e laps në dorë.

Në katër anët e mureve të studios ishin rreshtuar agjentët e tjerë të sigurimit, mes të cilëve dallova sekretarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Sapo hyra, ai që ishte ulur në majë të piramidës së improvizuar më pyet me vrazhdësi:

- Çfarë do këtu?
- Edison Gjergon.
- Pse?
- Desha ta takoj.
- Pse?, përsëriti.
- Thjesht, pse e kam shok.
- Nuk është këtu...
- E shoh..., - thashë shumë i fyer. - Mirë, a mund të largohem?
- I lirë! - më tha si me ironi.

A mund të bënit gjumë të qetë pas kësaj?

E me të vërtetë qeshë "i lirë" për ca kohë. Pas një përndjekjeje intensive, një vit më vonë do të më arrestonin.

Kur u takuat pastaj?

Në hetuesi. Do të ma sillnin të lidhur Edisonin për të na ballafaquar. Ne e pranuam miqësinë e ngushtë që na lidhte, por jo akuzat që kishin përgatitur ata. Edhe unë natyrisht do të dënohesha e do të dërgohesha në kampin e Spaçit, aty ku ishte Edisoni, por nuk u lidhëm më bashkë. Për këtë e kam fajin vetëm unë.

Edisoni bëri çmos që të merrej vesh me mua; ai ua shfaqi dëshirën dy shokëve të kampit, të cilët qenë "të hekurt" dhe prandaj më vonë ranë si heronj: Xhelal Koprenckës dhe Fadil Kokomanit.

Edisoni rrinte më shumë me këtë të fundit. Ata, veç tjerash, i lidhte dhe dashuria për muzikën klasike. Fadili kish mbaruar për gazetari në B.S., por kishte një horizont të gjerë kulturor. E kështu, përmes këtyre të dyve e ndonjë tjetri, ne informoheshim për njëri-tjetrin, e, si të thuash, gjithsesi komunikonim.

Çfarë ndodhte me të në kamp?

Rrinte i mënjanuar, e shtypte keq alergjia nga llumi i shoqërisë që përbënte atë kolektiv demoniak aty. I kishin caktuar punën e piktorit në dhomën ushtarako-politike të komandës së kampit.

E po të shihje stendat me shkrimet dhe figurat propagandistike, edhe aty ndjehej shija e hollë e një piktori, padyshim të madh.

Përse gjithë kjo mëri me Edisonin?

Unë jam duke shkruar kujtimet dhe marrëdhënia me Edisonin zë një vend të veçantë. Aty do të flas më gjatë. Tani për tani them: Për këtë e kam fajin vetëm unë.
As kur u liruam, aty nga viti 1982, nuk arritëm të lidheshim më. Tashmë na rëndonin vështirësitë materiale të jetesës, sepse nuk na jepnin punë. Ai filloi bojaxhi në ndërmarrjen "Mjetet mësimore".

E më në fund ngjau ajo e papritur që për mua qe shokuese. Isha duke pirë me mikun tim K.F., kur më erdhi lajmi i tmerruar i vdekjes së Edisonit. E pikërisht ky çast sublim qe goditja që më zbuloi atë që më fshihej në brendësi.

Kuptova që ai paskësh qenë miku im më i shtrenjtë. Ky qe ndëshkimi më i madh shpirtëror për mua. Nuk e di se si, veç kur e pashë veten në gjirin e familjes së tij, nënës dhe vëllait të tij Aleko. E përcolla, i dhashë lamtumirën për herë të fundit, por plaga që mora me këtë rast nuk më është mbyllur ende. Ajo më lëndohet sa herë mendoj për të.

A kishte një qëndrim të shpallur Edison Gjergo kundër regjimit?

Ai besonte se komunizmin e kishte sjell në fuqi prapambetja, antikomunizmi i tij kishte formë humane. Tek ne, antikomunizmin duket se e kanë bërë ata që u kanë marrë shtëpinë ose tokën. Edisoni nuk kishte lindur për hero, por për artist. Ai brutalitet e dogji. Ajo kohë donte heronj.

Rrëfimi i Alekos

Aleko Gjergo është një nga dy djemtë e Vangjel dhe Kornelia Gjergos. Është 4 vjet më i ri se i vëllai Edison Gjergo. Është farmacist në profesion. Edisoni ishte për të një njeri që nuk e kuptoi kurrë realitetin, sepse nuk donte ta kuptonte. "Ajo që ai s'njihte fare ishte politika. Paradoksale është se pikërisht për politikë u dënua.

U akuzua për agjitacion e propagandë nëpërmjet pikturës." Aleko kujton se pati edhe një relacion të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku flitej për pikturën e Gjergos si një pikturë antipopullore, antikombëtare. Ishte një relacion i Dritëro Agollit dhe Kujtim Buzës. Po ashtu, ai kujton, nga të tjerë, sepse vetë nuk ka qenë aty, që Edisoni të ketë thënë në gjyq "s'e kuptoj ç'do me thënë realizëm socialist.

Për mua piktura është pikturë." "Ai gjithmonë thoshte për shumicën e piktorëve që s'e kuptojnë pikturën", - shton i vëllai.
Çdo ekspozitë ai e mban si një makth të madh. A do të pranohej apo jo puna e Edisonit. Portretin e Zonjës Çurre ai e quan një vepër të realizmit socialist. "Pusi 542" i vitit 1967 nuk do të pranohej.


"E mbaj mend një flakë të madhe të bukur dhe njerëzit të vegjël. E preu më katërsh. Kurse tek "Epika..." është periudha e blusë për analogji me Pikason që ka një periudhë blu." Po ashtu nuk i ishte pranuar "Skënderbeu" i vitit 1968. Por me "Epikën..." ai pati kulmin e famës për mirë dhe për keq.

"Epika e yjeve..." është realizuar në një kohë kur kishte një farë liberalizimi në arte. Bashkë me Edi Hilën, Skënder Kamberin, edhe Gjergon etj., dukej se kishte një brez të ri modern në pikturë. Në këtë kuadër u arrestua: familje borgjeze, ai vetë vazhdimisht në kontradiktë me kryesinë e lidhjes, bënte autokritika gjysmake."

Alekoja nuk di asgjë me siguri se ç'është bërë me veprat e konfiskuara të të vëllait. Ato që ai di që kanë mbetur janë nën të drejtën autoriale të së shoqes dhe vajzës, Eda.

Eda Gjergo, një trashëgimtare gjeni

Eda mban emrin e të atit që ajo nuk e njohu kurrë. Lindi tre muaj pas vdekjes së Edison Gjergos. Jeton me të ëmën, me të cilën emigroi drejt Italisë në vitin 1991.

Ka prirje të jashtëzakontë drejt shkencave ekzakte, konkretisht drejt astrofizikës. Tre vjet më parë, shtypi italian do të fliste për një 17-vjeçare, kishte shkruar si bashkautore me Margherita Hack, librin "Kështu flasin yjet".

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP
« Last Edit: August 12, 2009, 11:43:58 AM by Lec Neli »