Author Topic: “Analiza” e qeverisë së sëmurë!  (Read 3068 times)

0 Members and 1 Guest are viewing this topic.

Offline Staff

  • Administrator
  • Anetar i Vjeter
  • *****
  • Posts: 608
  • Postimet: +4/-0
  • Gender: Male
“Analiza” e qeverisë së sëmurë!
« Reply #1 on: December 30, 2011, 09:17:48 PM »
Për ministrat e kabinetit kanë ardhur ditët e vështira të skanerit të punës së tyre. Ose më saktë të kohës së qëndrimit nëpër karrige, për të cilën tani duhet të bëjnë edhe një copë analize. Të detyruar për hatër të “transparencës” së qeverisë, por edhe për të “sukseseve” që nuk mund të mos bëhen publike. Jo për të merituar dekoratën për çdo ministër, por për të formuar mozaikun e punës së qeverisë, që më shumë i ngjan një “puzzle” (lojë për fëmijë) me pjesë që duhen kombinuar dhe gjetur sa andej- këndej.
 
Berisha ka lënë ministrat të monologojnë për “arritjet”, duke u zhdukur për ca kohë nga televizionet. Adeti u takon Bodeve, Imamëve dhe madje edhe Basha, që mesa duket ka harruar që nuk është më pjesë e kabinetit. Secili prej tyre ka trumbetuar vetëm suksese, por edhe ndonjë pengesë që për përgjegjëse ka medoemos opozitën. Për shembull, Partia Socialiste nuk ka lejuar ministrin e Mbrojtjes së shesë mjaftueshëm municion. Ka penguar gjithashtu edhe që ministria të shtrojë rrugën e duhur në linjë me interesat e NATO-s, sepse sipas Imamit, opozita ka kërkuar llogari më herët se sa duhet dhe se ai nuk ka pasur shumë kohë në dispozicion për këtë angazhim!!! Ministri tha se na duhet akoma kohë. Edhe për t’u çarmatosur madje...
 
Nuk kishte se si të mos “shkëlqente” ministri Bode në analizën e tij. Ndonëse duhet pranuar se e kishte më të lehtë, për shkak të “përgatitjes” që na bëri vetë Berisha që në nisje të vitit e në vazhdim me “mrekulli ekonomike” dhe “ekonominë e lumtuar”. Ndaj Bode doli të na paraqesë shifrat e tij, pa asnjë lidhje dhe pa asnjë referim në dokumentet ndërkombëtare, përderisa rezultuam të ishim në fund të këtij viti i vetmi shtet që i kishte ngritur barriera të jashtëzakonshme krizës globale! Me rritje ekonomike 3.9 për qind, ose të paktën dy herë me lartë se ajo që na llogariti FMN edhe për vitin e ardhshëm. Çfarë nuk na tha ministri tjetër, përveç realitetit të hidhur sidomos në këto ditë festash. Na foli edhe ai për arritje, tjetër gjë se ne nuk mund as t’i shohim dhe as t’i prekim. Me penelat e Berishës, pikturoi një prej viteve më të mira të ekonomisë shqiptare dhe po me kaq patos na premtoi edhe vitin e ardhshëm, të cilin e presim të varfër në tryezën e festave, në xhepa dhe në shpresa.
 
Stoike u duk edhe spikerja e parlamentit në analizën e saj. Sikur opozita të mos kishte penguar një sërë reformash dhe ligjesh të rëndësishme, edhe më e shndritshme do të ishte panorama e institucionit që ajo ka pushtuar prej disa vitesh! Por Topalli nuk e ka lënë fjalën pa renditur “suksese” në një bilanc ligjesh të numëruara si statistika ku jo pa qëllim janë rreshtuar edhe miratime të vendimeve sa për procedurë, apo ligje shkel e shko, që në emër të përafrimit me legjislacionin evropian, por pa marrë mendimin e ekspertëve dhe as të grupeve të interesit kanë shtrembëruar për llahtar ligjet shqiptare. Në fund, nuk mund të rrinte pa u dukur edhe kryetari i bashkisë së Tiranës. Edhe ai për të na thënë se ka mbyllur me sukses procesin e diskutimit të projektbuxhetit, ose të “transparencës” siç e ka quajtur Basha. Jo për rastësi mbyllja bëhet një ditë përpara se ky projektbuxhet t’i kalojë këshillit bashkiak, ndërsa qytetarët duhet të presin të shohin rezultatet përderisa deri tani kanë marrë vetëm premtime. Asgjë më tepër se kaq!
 
Kryeministri po vonohet të bëjë “analizën” e tij. Ndoshta është mjaftuar me atë që na paraqiti (pa letër) dhe ku rezultonin se pllakëzat e gjakut i kishte si të ishte në moshë të re. Të gjithë, si kreun e ekzekutivit, ashtu edhe ministrat e tij i bashkon fakti se pavarësisht analizës që i nxjerr “të shëndetshëm”, janë pa asnjë përjashtim pjesë e një qeverie të sëmurë.